Instituti Nexus

Paneli i dytë i projektit “Ç’u bë me Shqipërinë?”

Në kuadër të projektit tonë “Ç’u bë me Shqipërinë?”, organizuam me sukses panelin e dytë, i cili u fokusua në ndikimin e komunizmit në Shqipëri dhe në Jugosllavi. Ky diskutim trajtoi ngjarje historike dhe pasojat e tyre, duke ofruar një analizë të thelluar mbi dy kontekste të ndryshme, por të ndërlidhura nga përvoja dhe historia e përbashkët.

Na nderoi me praninë e tij z. Fatos Lubonja, figurë e mirënjohur intelektuale nga Shqipëria, i cili ndau analiza të thelluara dhe reflektime mbi procesin e ndërtimit të shtetit shqiptar, trashëgiminë e regjimit komunist dhe pasojat që ky regjim ka lënë në shoqëri. Pjesëmarrja e tij ishte një kontribut jashtëzakonisht i çmuar për dialogun tonë, dhe i jemi thellësisht mirënjohës për angazhimin e tij, si edhe për rrugëtimin e gjatë që ndërmori për t’u bashkuar me ne.

Gjithashtu, panelit iu bashkua z. Dukagjin Gorani, i cili solli pikëpamje të argumentuara mbi temat e trajtuara, duke kontribuar në një debat dinamik dhe të balancuar. Prezantimi i tij ofroi një qasje të vyer mbi përvojën jugosllave, hapi diskutime të reja dhe shërbeu si bazë për të nxjerrë mësime të dobishme për të ardhmen.

Falënderojmë të gjithë ata që morën pjesë dhe vazhdojnë të na mbështesin në misionin e Institutit Nexus për të krijuar hapësira ku zhvillohen diskutime të hapura, me vlerë dhe ndikim për të ardhmen tonë të përbashkët. Vijoni të na ndiqni për njoftime dhe aktivitete të tjera në kuadër të projektit “Ç’u bë me Shqipërinë?”.