Këtë javë, Instituti për Edukim dhe Hulumtim Nexus nënshkroi një Memorandum Bashkëpunimi me Shërbimin Korrektues të Kosovës, në krye me Drejtorin e Përgjithshëm z. Ismail Dibrani.
Kjo marrëveshje shënon një hap të ri dhe të rëndësishëm, si për Institutin Nexus, ashtu edhe për Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Ky projekt do të përfshijë hulumtime, trajnime dhe mbështetje për stafin e institucioneve korrektuese, me synim që të kontribuojmë në ndërtimin e një sistemi më human, më profesional dhe më efektiv.
Në veçanti, projekti do të përfshijë:
– hulumtime shkencore mbi sistemin korrektues dhe politikat rehabilituese;
– vlerësimin dhe matjen e efektivitetit të programeve rehabilituese;
– mbështetjen e mirëqenies profesionale të stafit korrektues;
– dhe trajnime e ngritje kapacitetesh bazuar në standarde ndërkombëtare.
Ky projekt synon të kontribuojë në zhvillimin e një sistemi korrektues modern, profesional dhe të bazuar mbi themele shkencore.
Përmes tij, Instituti Nexus dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës vendosin themelet e një bashkëpunimi afatgjatë, që lidh dijen akademike me praktikën institucionale për ngritjen e kapaciteteve dhe forcimin e profesionalizmit në institucionet tona publike.
Instituti Nexus shpreh mirënjohje për Drejtorin e Përgjithshëm z. Ismail Dibrani, Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm për Trajtimin e të Burgosurve z. Ridvan Hoti, Drejtoreshën e Departamentit për Trajtimin e të Burgosurve dhe Miturve znj. Trëndelina Qorraj, si dhe znj. Merita Syla, për bashkëpunimin, profesionalizmin dhe mbështetjen gjatë këtij procesi.

