Instituti Nexus

Libri “Disfata e ushtrisë osmane dhe shqiptarët” tashmë në gjuhën shqipe

Dje, në hapësirat e Universitetit të Prishtinës, Instituti Nexus organizoi promovimin e librit “Disfata e ushtrisë osmane dhe shqiptarët” – një rrëfim i dorës së parë nga Ahmed Hamdi, oficer i ushtrisë osmane dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve në periudhën e fundit të Perandorisë Osmane në Ballkan.

I shkruar më 1913 dhe botuar fillimisht në Kajro, libri vjen për herë të parë në shqip falë punës kërkimore dhe përkushtimit të studiuesit Shasivar Kabashi, me mbështetjen për përkthim dhe botim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Autori sfidon narrativat zyrtare të kohës, duke ndriçuar rolin e shqiptarëve, të cilët shpesh u përballën me akuza të padrejta për dezertim. Përmes këtij rrëfimi të drejtpërdrejtë, lexuesi hyn në realitetin e brendshëm të ushtrisë osmane në momentet e fundit të saj në Ballkan dhe në sfidat që përjetuan shqiptarët në këtë periudhë vendimtare.

Në promovim, prof. Nuri Bexheti, sociologu Blerim Halili dhe historiani Agron Islami shpalosën perspektivat e tyre mbi veprën, duke theksuar rëndësinë e saj si burim i pazëvendësueshëm për historiografinë shqiptare. Ata vlerësuan përshkrimet autentike të gjendjes politike dhe ushtarake të asaj kohe, si dhe mënyrën se si autori e vendos në dritë pozitën e shqiptarëve përballë sfidave të kohës. Ndërkohë, përkthyesi dhe studiuesi Shasivar Kabashi ndau përvojën e përkthimit, si një përpjekje për të shlyer një borxh moral ndaj brezit të gjyshërve shqiptarë dhe për të nderuar zërat që nuk u dokumentuan siç duhet në histori.

Libri tashmë është i qasshëm në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në bibliotekat e qyteteve në mbarë vendin, si dhe në një numër të kufizuar kopjesh pranë Institutit Nexus.

Ftojmë të gjithë të interesuarit të njihen nga afër me këtë vepër që hedh dritë mbi një periudhë kyçe të historisë sonë.